Prona(pronia*), frika ndaj njeri-tjetrit dhe (mos)zhvillimi

Nuk do të zhvillohemi kurrë nëse nuk do mundim të kapërcejme frikën patologjike ndaj njeri-tjetrit me bazën kryesisht tek prona (e vogël) dhe frika e humbjes së saj.
Shqiptarët janë shumë të ndjeshëm ndaj pronës por, jo shumë të zgjuar ta ruajnë dhe rrisin.

Kjo ka rrënjë të thella historike (ku vendndodhja gjeografike ka luajtur gjithmonë rol fatal)...

Histori shumë e gjatë kjo që nis te dokumentohet mbase me Bizantin për të vazhduar me Perandorinë Otomane...luftrat botërore, komunizmin, "demokracinë" ose coroditjen më të madhe që ky vend po përjeton ende.

Vazhdimisht e vazhdimisht Shqiptarët janë rropatur në një rreth vicioz duke kaluar nga bujkrob në pronar...në bujkrob...pa mundur të dalin nga kjo “rat race” e ndëtuar një rend sipas dëshirave të tyre e vendit që i takon, pa mundur të zhvillohen.

Ajo që dua them sa me shkurt e sa me thjesht që të mundem është se, pikërisht kjo lidhje difektoze, përcakton shpesh edhe mënyrën se si ndërtojmë lidhjet tona, si zhvillohemi(ose jo) ne nivel personal, si përshtatemi(ose jo) në kohët moderne.

Frika e kthimit sërish në statusin e bujkrobit (shumë e freskët në memorjen tonë gjenetike) na bën të flirtojme pa pushim me më të fortin (sot në mënyrë kaotike sa kohe ende nuk dihet mirë cilës "perandori" i përkasim) si dhe të luftojmë si gladiatorët me të ngjashmit për vendin e feudalit.

.....

Brenda nesh qytetari (jo domosdoshmërisht ai që jeton në qytet) do fitojë betejën me bujkrobin pikërisht kur të aftësohemi të kapërcejme lidhjen patologjike me konceptin e pronies(pronës së vogël), të nisim të besojmë njeri-tjetrin, të bashkëpunojmë, disiplinohemi e kalisim durimin...punojmë e zhvillohemi.

Ka ardhur koha që të bëjmë divorc një herë e mirë me bujkrobin e mercenarin brenda nesh e të kujtojmë se, edhe kur kemi qenë të sunduar nga perandori, një pjesë e shquar e perandorëve kanë qenë Ilirë(këtë ka kohë që përpiqen t’na e fshijnë nga memorja gjenetike).

Ka ardhur koha të kultivojmë qytetarinë duke u kapur më fort pas vlerave (personale, familiare, historike) se sa pas pronies (që ikën e vjen).

Në këtë proces kanë shance më të mëdha(për hir të së vërtetës) ata që kanë qenë më gjatë të “ekspozuar” ndaj qytetarisë së vërtetë: Familje të kulturuara ndër breza, ata që kane jetuar më gjatë në qytete (kopshte, shkolla, sheshe e rrugë publike) si dhe ata që kanë jetuar e jetojnë jashtë, në vende të zhvilluara ku mendësia feudale është harruar me kohë.

Sigurisht që shancet më të mëdha ndër ne i kanë të rinjtë të cilët, si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj, janë rritur me mendësinë e “qytetarit të botës”.
Ata e kanë fuqinë të na ndryshojnë, këtë herë për mirë shpresoj!
*Pronie-pronë e vogel P.Biz,shek XI-XIV