Legjenda vetjake dhe smeraldi

Sa prej nesh e patën kurajon të ndjekin "Legjendën vetjake"?
Sa e vazhduan rrugën deri në fund me durim? Sa u dorëzuan qysh në hapat e para dhe sa të tjerë e ndërruan vazhdimisht dëshirën?

Kur je fare pranë arrijes së madhe dhe oazi ka nisur të duket në horizont (mund të jetë edhe mirazh), ndalesh një cast të pushosh dhe shikon gjurmën e lënë në rërë pergjatë rrugëtimit.

Rruga është e gjatë, plot zig-zake, rrotullime në vend e kthim në pikënisje, zgavra të hapura në rërë në ndalesat e gjata prej dilemave, hapa karvanesh me qindra njerez, hapa të vetmuar, gjurmë përleshjesh për mbijetesë, thesare të lëna pas (herë të vjedhura, herë të braktisura e herë të dhuruara)....kujtime.

Jo rastësisht jane fare pak ata që e përmbushin qëllimin e nisjes.

Në fillim të herës, teksa ëndërron atë, “Qellimin e madh", askush nuk të mëson se do jetë shumë e gjatë rruga dhe, dhimbja e humbjet do të të shoqërojnë përgjatë gjithë rrugës. Perkundrazi. Të gjithë të gjykojnë e përpiqen të të pengojnë por, pa argumenta.
Nuk kanë faj fundja sepse, janë fare pak ata që kanë arritur "atje".

Rrugës do të ndodhë shpesh të humbasësh gjithcka: Pasurinë, miqtë, admiruesit, të afërmit...ndonjëherë edhe pjesën më të madhe të vetes.

Vetëm ti e di që nuk je i cmendur dhe vazhdon me kokfortësi e durim sublim të ndjekësh Yllin tënd.

.............

Ditën që do mbërrish ATJE ama, do të ndihesh perëndi.
Si të gjitha perënditë, sigurisht që do jesh vetëm (në fillim).
Nuk do kesh pasqyrë me vete (e ke thyer qysh në nisje) dhe do e kesh harruar imazhin tënd të dikurshëm.
Do kesh vetëm ëndrrën tende që e ke mbartur në një traste të grisur gjithmonë me vete si dhe nje grimcë që ka mbetur nga qenia jote e dikurshme.

Endrra do jetë kthyer tashme në perlë e ti, do e vendosësh me një rrip të thjeshtë në qafë për ta mbajtur sa ekziston dhe për ta trashëguar kur mos jesh.
Grimcën e mbetur të vetes do e mbjellesh në tokën pjellore të oazit dhe do e vadisesh cdo ditë deri sa të rritet.
Nuk dihet se si do rritet. Mbase do krijoje një specie tjeter, me siguri, më të mirë!

Atëhere do harrosh të gjitha humbjet, miqtë e larguar me zhgënjim, të afermit qe të braktisen e mohuan me përcmim, veten e dikurshme.

Fati të bekoi me aftësine dhe durimin për të zbuluar Shpirtin e botës dhe të dha në këmbim një thesar të pacmuar: Dijet e botës të gdhendura në një smerald.

Atë ditë ti do ndihesh i lumtur për pak dhe i realizuar përgjithmonë.
Nuk do ndihesh më i trishtë për miqtë që humbe (mbase nuk ishin të vërtetë), për të afërmit që të mohuan, për fqinjët që të përfolën, për armiqte që të vodhën e sulmuan.
Do i falësh të gjithë dhe, megjithëse nuk do shpenzosh më kohë me ta, do i lejosh të ndricohen nga drita e smeraldit.

Turmat do të të adhurojnë si Zot por, ti do e ruash thjeshtësinë e turmat do i shohësh vetëm me një qëllim: të zbulosh mes tyre ATE që, si ti dikur, po ndjek Legjendën vetiake dhe t'i japësh trastën e vjetër me dy gurë brenda, bashkë me bekimin.....


# Persihatje (e imja) nën ndikimin e Alkimisti-t, Coelho.